18 views 4 min 0 Comment

Saraçini: Mediat dhe verifikuesit e fakteve të luftojnë së bashku kundër dezinformatave

- 04/04/2024

Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, 2 Prill, në Shkup u mbajt konferenca rajonale “Mbrojtja e Demokracisë në Ballkan: Mbrojtja e Integritetit të Informacionit në Epokën Digjitale”, e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Luftën kundër Dezinformatave, ku morën pjesë ekspertë nga rajoni dhe BE që merren me verifikimin e fakteve dhe luftimin e dezinformatave, gazetarë, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit ndërkombëtar.

Në diskutimin e tij, kryetari i Institutit për Media dhe Analitikë IMA, Petrit Saraçini, iu referua ndikimeve të huaja malinje dhe dezinformatave në vend, ndër të cilat veçohen ndikimet nga Federata Ruse dhe dezinformatat kundër integrimeve euroatlantike.

“Narrativat nuk lidhen vetëm me agresionin rus në Ukrainë, por edhe me çështjet tona të brendshme, veçanërisht me integrimet euroatlantike të vendit. Ka narrative dezinformuese se maqedonasit do të zhduken përmes Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes me Bullgarinë dhe negociatave me BE-në”, theksoi Saraçini.

Sipas tij, është mjaft problematik edhe fakti që kemi mainstream media nacionale, të cilat në mënyrë jokritike përcjellin qëndrime të Putinit, Zaharovës, Llavrovit dhe politikanëve të tjerë, pa e kontrolluar nëse ajo që thonë është e vërtetë apo jo. Me shembullin e lajmit të rremë për pritjen e Zelenskit në Nju Jork me një billbord “Glory to Urine” (Lavdi Urinës) në vend të “Glory to Ukraine” (Lavdi Ukrainës), fillimisht i publikuar në Telegram nga Zaharova, më pas përmes Tuiterit dhe mediave serbe të transmetuar nga shumë media në vend, Saraçini me shembull praktik shpjegoi se si ato dështuan në verifikimin e fakteve, ndonëse të njëjtën ditë media me famë botërore si Reuters dhe Associated Press e demantuan këtë dezinformatë.

Saraçini theksoi se përveç aksioneve të huaja të koordinuara për përhapjen e dezinformatave, te ne ekzistojnë edhe dezinformata të prodhuara në vend, që zakonisht përhapen pothuajse nga i njëjti grup njerëzish në rrjetet sociale. Sipas tij, dezinformatat burojnë kryesisht nga aktorët politikë që sulmojnë njëri-tjetrin, por ka edhe “dezinformata me shije etnike-fetare, dezinformata kundër pakicave dhe grupeve të ndjeshme, dezinformata për çështje shëndetësore si KOVID-i, dezinformata për konfliktet e jashtme… “.

Në këtë drejtim, Saraçini theksoi se nevojitet një angazhim më i madh nga ana e institucioneve, sepse nuk mjafton vullneti deklarativ dhe vetëdija për problemit me dezinformatat në vendin tonë, por nevojiten masa konkrete.

Përveç kësaj, sipas tij, nevojiten përpjekje të përbashkëta mes mediave dhe organizatave të verifikimit të fakteve për t’u ballafaquar dhe për të luftuar dezinformatat. “Duhet të gjejmë forcë dhe vullnet, veçanërisht në komunitetin mediatik, besoj se ka mes organizatave që verifikojnë faktet, për të punuar më shumë në projekte të përbashkëta që do të ballafaqohen me dezinformatat”, tha Saraçini në konferencë.

Comments are closed.