32 views 6 min 0 Comment

Saldanja: Për të mundur dezinformatat, duhet edukuar publiku që të mos jetë cinik, por skeptik

- 24/04/2024

Ekziston një vërshim i dezinformatave, dhe mënyra për t’u mundur ato është të edukosh publikun dhe ta bësh atë jo cinik, por skeptik, thotë Dejv Saldanja, gazetar dhe producent amerikan, fitues i çmimeve Emi për gazetari.

Në intervistë për Institutin për Media dhe Analitikë IMA, Saldanja, i cili ka punuar në media të njohura amerikane dhe ndërkombëtare për më shumë se 30 vite dhe është ekspert në trajtimin e dezinformatave, flet për disa nga mënyrat për luftë më efikase kundër dezinformatave.

“E dini, të gjithë e hasim këtë, në Fejsbuk, në Instagram, kur flasim me familjet tona dhe, e dini, të gjithë kanë atë xhaxhain që beson gjithçka që lexon në internet. Strategjia ime personale me këtë është të pyes: Pse e beson këtë? A ka kuptim? Cili është burimi për këtë? Nga vjen? Nëse besoni në një storie që ekziston në një faqe të internetit, përse pjesa tjetër e mediave e injoron atë, apo jo? Të paktën ata do të prononcoheshin për të thënë se është e rreme, apo jo?”, thotë Saldanja.

Ai thekson se ka një pjesë të caktuar të shoqërive tona që beson se ka një konspiracion madhor.

“Mund t’ju them, sepse kam punuar në redaksi anembanë SHBA-ve, redaksi të mëdha, redaksi të vogla, redaksi kombëtare, redaksi ndërkombëtare – nuk ka konspiracion. Gazetarët po përpiqen thjeshtë t’ju tregojnë ngjarje. Natyrisht që ka mënyra në të cilat lajmet shtrembërohen, duke u bazuar në shumë interesa të ndryshme. Por, në fund të fundit, ata përfundimisht përpiqen t’ju thonë të vërtetën. Tani, nëse ‘dieta juaj mediatike’ ju tregon diçka që nuk do ta gjeni askund tjetër, kjo është një arsye për të qenë skeptik, por jo një arsye për të besuar se e dini të vërtetën”, vë në dukje Saldanja.

Sipas tij, dezinformuesit mbështeten në faktin se jetojmë në një botë të ndërlikuar, konfuze, e njerëzit kërkojnë përgjigje të thjeshta.

“Ata kërkojnë gjëra që i shpjegojnë gjërat që i hutojnë, në format më të thjeshta. Mesazhet e shkurtra, të ashtuquajturat ‘ngjitëse në parakolp’ (bumper stickers), janë një formë shumë e popullarizuar e komunikimit, por nuk janë mënyrë e mirë për të kuptuar politikën. Dhe, ato shpjegime të thjeshta që i gjeni në dezinformata, e dini, se “ata duan të të kapin”, “ti e di të vërtetën”, “ti je një nga të zgjuarit që kupton” – këto janë pretendimet e sigurimit të publikut që i përdorin dezinformuesit për ta bërë mesazhin e tyre më efikas”, thekson Saldanja.

Ai thotë se është e vështirë qasja tek njerëzit që mendojnë se “dinë”, sepse ata janë të lidhur fort pas aleancave të tyre politike ose shoqërore, që i bën të ndjehen si një insajder i rëndësishëm.

“Është e vështirë të qasesh tek ata. Por në fund të fundit, njerëzit që janë disi në mes, ata që dëgjojnë lajmet me gjysmë veshi – ata janë njerëzit që ende mund të ndikohen. Dhe, këta janë njerëzit të cilëve duhet t’ua kujtojmë të jenë skeptikë, apo jo? Jo gjithçka që lexoni në internet është e vërtetë, jo gjithçka që përsëritet vazhdimisht është e besueshme, thjesht sepse përsëritet”, vlerëson Saldanja.

Saldanja thotë se duhet të edukojmë publikun, duke filluar që nga fëmijët.

“Fëmija im ka dy ajpadë dhe një ajfon, e sapo ka mbushur 9 vjeç. Pra, ai tashmë kalon shumë kohë në internet. Dhe unë duhet, si prind, është detyra ime ta ndihmoj të orientohet në të gjithë këtë. Dhe, kjo është diçka që ne si shoqëri duhet ta bëjmë, nga lart – poshtë, jo vetëm fëmijët, edhe të rriturit. Duhet të mësojmë të lexojmë në mënyrë kritike, të shohim në mënyrë kritike. Dhe, kjo është edhe para se të flasim për botën e dip-fejkëve, ku tani vërtet nuk mund t’u besoni as syve. Se si do ta luftojmë, nuk e kam idenë, por është padyshim një detyrë e rëndësishme që ne si shoqëri duhet ta adresojmë. Duhet të ndërtojmë mendimin kritik, skepticizëm të shëndoshë, por të mos e lënë të kthehet në cinizëm, ku njerëzit ngrenë duart dhe thonë: të gjithë gënjejnë, nuk mund t’i besoj askujt, do të çkyçem plotësisht. Duhet të kemi një shoqëri të angazhuar në mënyrë inteligjente që demokracitë tona të funksionojnë”, tha Saldanja në intervistën për IMA.

Petrit Saraçini

Comments are closed.