42 views 16 min 0 Comment

Raportimi mediatik etnik: Në vitin 2024 shtetin do ta drejtojnë shqiptarët e BDI – së?

- 28/10/2023

Cilat janë dy mediat pro-opozitare, të cilat propagojnë se në vitin 2024 Maqedonia e Veriut do të drejtohet nga BDI, përkatësisht nga shqiptarët? Cila është arsyeja që këto media parashikojnë se presidenti, kryeministri dhe kreu i Kuvendit do t’i takojnë partisë së Ahmetit? Pse pyetja e gazetarit të TV Alfa, Mateja Petrovski shkaktoi reagimin e zëvendëskryeministrit Bytyqi dhe kryeministrit Kovaçevski, por edhe reagime në opinion? A ishin të ndara mediat gjatë raportimit mbi veprimin e zëvendëskryeministrit dhe përgjigjen e kryeministrit?Shkruan: SEFER TAHIRII tërë pushteti shtetëror në vitin 2024 mund të përqendrohet në duart e Bashkimit Demokratik për Integrim, parti e cila qëndron në pushtet nga viti 2002 deri më sot, me të vetmen ndërprerje prej 17 muajve, në vitet 2006 – 2008, kur vendin e saj e zuri Partia Demokratike Shqiptare. Hipoteza në formë supozimi mediatik u ngrit këtyre ditëve nga dy media, të cilat tash e një kohë të gjatë shquhen për qëndrimet negative ndaj pushtetit, të cilin e kritikojnë për dështime në politikën e brendshme dhe të jashtme.TV Alfa: Pushteti në duart e BDI – sëMë 12 tetor 2023, televizioni me licencë kombëtare tokësore, Alfa, një media me politikë të qartë editoriale kundër qeverisë, e para ka transmetuar kronikën televizive me titull “Talat Xhaferi, president, Artan Grubi, kryeministër – Kovaçevski dhe Ahmeti do ta çojnë tërë shtetin në duart e BDI- së?!“.Në kronikën televizive theksohet:“Xhaferi, president dhe kryetar Kuvendi, Artan Grubi, kryeministër – inati i pushtetit që të mos pranojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën kohë, mund ta çojë Maqedoninë në duart e BDI – së. Siç dihet tashmë, në 100 ditët e fundit kjo qeveri do të drejtohet nga kryeministri shqiptar, propozim i partisë së Ahmetit, ndërsa mossuksesi i mundshëm i zgjedhjeve presidenciale, do të thotë që kreu i Kuvendit do ta merr pozitën e presidentit të shtetit, e ky është Talat Xhaferi”.Kronika e televizionit e thekson faktin se kryeministri nga radhët e BDI – së do të jetë me përkatësi etnike shqiptare. Alfa raporton se “Sipas një pjese të njohësve ky skenar është i mundshëm, sepse ekziston mundësi e madhe që zgjedhjet presidenciale të dështojnë, nëse mbahen ndaras nga parlamentaret, para së gjithash për shkak të cenzusit të lartë në raundin e dytë“.Por, kjo media manipulon me publikun, sepse edhe pse raporton se ka konsultuar disa njohës të rrethanave politike, në fakt transmeton vetëm deklaratën e Pekevskit, të cilit nuk ia përmend emrin (Sinisha), e as se ai flet në cilësinë e analistit politik.Më tej në kronikë theksohet:“Edhe pse thuajse të gjithë janë të mendimit se nuk ka asnjë logjikë në dy muaj të mbahen dy cikle zgjedhore, pushteti momentalisht mbetet fuqishëm në qëndrimin që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbahen në dy afate, që do të thotë dyfish më shumë shpenzim i miliona eurove shtetërore“.Por, gazetari Mateja Petrovski edhe në përfundim të kronikës manipulon publikun, sepse nuk tregon se kush janë ata “pothuajse të gjithë” që janë të mendimit se dy proceset zgjedhore duhet të mbahen së bashku. Pra, nuk identifikon burimet, por raporton me hamendësime.Plusinfo: Pushteti në duart e shqiptarëvePortali Plusinfo i është bashkuar raportimit hipotetik mbi drejtimin e pushtetit shtetëror vitin e ardhshëm nga shqiptarët që do t’i propozojë BDI– ja.Në shkrimin me titull “A ekziston plan për bojkot të heshtur të zgjedhjeve presidenciale? Dy skenare për ‘atentat politik’ ndaj Mickoskit mund ta shpëtojnë LSDM – në nga disfata katasrofike“, Plusinfo thekson:“Nëse nuk arrihet cenzusi i nevojshëm prej 40 % në zgjedhjet presidenciale, atëherë tri funksionet më të larta në shtet si presidenti i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit do t’i kryejnë shqiptarët“.Ky portal, duke mos respektuar parimin kushtetues se secili ka drejtë të zgjedh dhe të jetë i zgjedhur, pavarësisht përkatësisë etnike, në mënyrë spekulative prejudikon se pushteti në të ardhmen do të drejtohet nga shqiptarët, raportim që mund të ndikojë në rritjen jotolerancës ndëretnike te qytetarët.Madje, portali i cili drejtohet nga gazetari i njohur, Branko Geroski, shkon edhe më tej, duke përforcuar narrativin etnocentrik, nënteksti i së cilit është “shqiptarët e morën shtetin në duart e tyre”, edhe pse ata janë shtetas, me të drejta dhe detyrime të njëjta kushtetuese dhe ligjore, si të gjithë qytetarët.“Edhe më interesant është që përveç tre funksioneve më të larta shtetërore, në pozicionet e tyre me siguri do të mbeten edhe zëvendëskryeministri i parë, zëvendëskryeministri aktual për Çështje Ekonomike dhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, i Financave dhe i Ekonomisë, të gjithë shqiptarë dhe përveç socialdemokratit Fatmir Bytyqi, të gjithë kuadro të BDI – së. Partia e Ali Ahmetit do të mund të lavdërohet se asnjëherë në histori, shqiptarët duke iu falënderuar atij dhe BDI – së, nuk kanë pasur dominim të tillë të plotë në pushtetin ekzekutiv në Maqedoni”, raportoi Plusinfo.Siç shihet, ky portal i shmanget përdorimit të emrit kushtetues të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, që është në një linjë me qëndrimet e partive opozitare maqedonase.Pyetja e gazetarit shkakton braktisjen e konferencës për media nga BytyqiNjë ditë pas raportimit mediatik të datës 12 tetor 2023, në një paraqitje para gazetarëve pas vizitës së një kompanie, në të cilën morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, po i njëjti gazetar i TV Alfa, Mateja Petrovski, Kovaçevskit ia shtroi pyetjen si vijon:“Ju mbeteni në qëndrimin se nuk do të ketë zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe presidenciale. Për shkak të cenzusit të lartë në raundin e dytë ekziston rrezik që të dështojnë zgjedhjet presidenciale, ndërsa keni marrëveshje që në 100 ditët e fundit, BDI-ja të propozojë kryeministër, a jeni të gatshëm që nëse nuk kanë sukses zgjedhjet, Talat Xhaferi të bëhet president, ndërsa nga BDI – ja kryeministër dhe i tërë shteti të jetë në duart e BDI – së?”Ndaj kësaj pyetjeje reagoi zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, i cili braktisi konferencën për mediat duke deklaruar: “Mendoj se unë nuk duhet të qëndroj këtu kur shtrohet pyetje e këtillë“.Ndërsa kryeministri Kovaçevski, edhe pse nuk duhet të vlerësojë qasjet e gazetarëve dhe të komentojë punën e tyre, pyetjen e cilësoi si absolutisht jokorrekte.Titulli i raportit të TV Alfa nga kjo ngjarje ishte “Pushteti nervoz: Bytyqi vendosi të largohet kur dëgjoi pyetje për BDI – në, Kovaçevski tha se pyetja është jokorrekte“.Mediat të ndara rreth veprimit të zëvendëskryeministrit dhe përgjigjes së kryeministritMediat që kanë politike editoriale antiqeveritare dhe proopozitare, e dënuan veprimin e zëvendëskryeministrit Bytyqi, të cilin e cilësuan si braktisje nervoze e konferencës për gazetarë. Një portal madje interpretoi se Bytyqi me largimin e tij nënçmoi shefin e tij, kreun e qeverisë.Disa nga titujt e mediave proopozitare ishin:Bytyqi me nervozë e braktisi konferencën për shtyp të Kovaçevskit, sepse nuk i pëlqeu pyetja për qeverisje të plotë të BDI – së me shtetin. (Netpress, 13 tetor, 2023).Bytyqi u hidhërua nga pyetja për Kovaçevskin se vallë do t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale (Republika, 13 tetor, 2023).Bytyqi me nervozë e braktisi konferencën për shtyp me Kovaçevskin. Zëvendëskryeministrit nuk i pëlqeu pyetja për qeverisje të plotë të BDI – së me shtetin. (Plusinfo, 13 tetor, 2023).Portali Lider.mk nga konferenca për shtyp, raportoi me titullin “Edhe Bytyqi e nënçmoi Kovaçevskin, e la vetëm që të arsyetohet se pse do t’ia lë gjithë qeverinë dhe shtetin BDI – së, Kovaçevski mbrohej se pyetja është jokorrekte“.Lider.mk raportonte se “Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, më shumë shpeshtohen zënkat e ministrave në qeverinë e LSDM – së dhe BDI – së me gazetarët, që sipas disave është reflektim i panikut dhe frikës tek koalicioni qeveritar“. Por, ky portal përdor formulimin “sipas disave”, duke mos identifikuar burimet e informacionit, pasi nuk plotësohet asnjë kriter që burimet të kenë anonimitet.Ndërsa portalet në gjuhën shqipe dhe disa media maqedonase kanë raportuar në mënyrë korrekte dhe neutrale.Siç ndodh shpesh, një pjesë e portaleve në gjuhën shqipe kanë raportuar duke kopjuar raportimin e televizionit me licencë kombëtare Alsat, i cili raportoi me titullin “Bytyqi braktisi konferencën për media, shkak pyetja që gazetari i parashtroi Kovaçevskit“.Mediat që kanë kopjuar përmbajtjen (Almakos, Inaonline, TVNews), që vërtetohet nga portali grumbullues i lajmeve në gjuhën shqope Fax.al, kanë shkelur standardin profesional që nënkupton cekjen e burimit mediatik nga i cili është marrë lajmi, sepse ndryshe bëhet plagjiaturë, që është e palejuar me Kodin Etik të Gazetarëve.TV Alsat, edhe në edicionin e lajmeve në gjuhën maqedonase raportoi në mënyrë korrekte, ndërsa titulli ishte “Pas pyetjes së gazetarit, Bytyqi e braktisi konferencën për shtyp“.Edhe Televizioni 21 kishte raportim korrekt lidhur me largimin e Bytyqit. Edicioni në gjuhën shqipe dhe ai në gjuhën maqedonase publikuan titull të njëjtë të raportit gazetaresk “Për këtë pyetje nuk ka nevojë të qëndroj këtu. Bytyqi u largua, Kovaçevski i drejtohet gazetarit: Nuk është korrekte!”. Kjo dëshmon se ky televizion me licencë kabllore kultivon politikë të unifikuar editoriale, pasi linja e njëjtë e prezantimit të ngjarjeve ndiqet në të dy gjuhët.Edhe dy media tjera në gjuhën maqedonase, për të cilat mund të thuhet se janë kritike ndaj pushtetit, raportuan në mënyrë neutrale:Bytyqi e braktiski konferencën për shtyp pas pyetjes për qeverisjen e plotë nga BDI – ja, Kovaçevski e vlerësoi si jokorrekte (Nova Makedonija, 13 tetor, 2023).Unë mendoj se nuk duhet të qëndroj këtu, kur bëhen pyetje të këtilla – Bytyqi e braktisi konferencën e shtypit (portali Faktor, 13 tetor, 2023).PërfundimeDështimi i mundshëm i cenzusit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe marrëveshja politike midis LSDM dhe BDI që kryeministri në 100 ditët e fundit të mandatit qeveritar t’i takojë partisë së Ahmetit, ka nxitur disa media proopozitare që të konstruktojnë tezën se vitin e ardhshëm tre postet kryesore shtetërore do t’u takojnë shqiptarëve, përkatësisht BDI – së.Përderisa TV Alfa shfaq qasjen e saj se pozitat do të bien në duart e BDI – së duke cekur se në 100 ditët e fundit qeveria do të drejtohet nga kryeministri shqiptar, portali Plusinfo nuk heziton të raportojë se gjasat janë që tre funksionet kryesore në shtet (por edhe funksione tjera të laerta qeveritare) të jenë në duart e shqiptarëve. Ky raportim nuk është i përshtatshëm për një shoqëri shumëkulturore dhe shumëetnike, meqë mund të ndikojë shumë në tendosjen e marrëdhënieve të brishta ndëretnike.Narrativët e këtillë mediatikë tek maqedonasit mund të shkaktojnë frikë dhe shqetësim se po humbin dominimin në sferën institucionale politike dhe pushteti transferohet tek shqiptarët, kurse te shqiptarët mund të krijojnë shpresa të rreme dhe eufori, duke besuar se shteti do të drejtohet nga pjesëtarët të përkatësisë së tyre etnike.Si gjithnjë kur janë në pyetje çështje që prekin dimensionet etnike, si kjo me debatin se kush do të drejtojë me shtetin në vitin 2024, një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase dhe shqipe shfaqin qasje favorizuese, që bazohen tek interesat etnike apo kolektive.(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

Comments are closed.