29 views 3 min 0 Comment

“Poligraf”: Transmetimi jokritik i deklaratave të propagandistëve rusë e dezinformon publikun

- 05/02/2024

Mesazhet e propagandistëve rusë me dezinformata dhe teori konspirative shpesh shpërndahen në mënyrë jokritike në titujt sensacionalistë të portaleve.

Më 22 dhe 23 janar 2024, disa portale e transmetuan në tituj parashikimin sensacionalist të kryeredaktores së RT, Margarita Simonjan se “Lufta e Tretë Botërore do të fillojë, por jo në Ukrainë”.

Artikujt praktikisht e transmetuan përmbajtjen nga një tuit i gazetares hulumtuese Xhulia Dejvis nga “Daily Beast”, e cila ndau një video nga Youtube kanali “Russian Media Monitor” me titull: “Vlladimir Sollovjov pretendon se NATO e ka sulmuar Rusinë”.

Mirëpo, portalet nuk informuan se në cilin kontekst është botuar videoja dhe tuiti i Dejvis, por i përcollën në mënyrë jokritike mesazhet e propagandistëve rusë. Në fakt, videoja është publikuar si pjesë e një projekti për edukim mediatik që ekspozon propagandën ruse, ndërsa vetë Dejvis është në listën e sanksioneve të Federatës Ruse. E nxjerrë nga ky kontekst, përhapja sensacionale e parashikimit propagandistik të Simonjan, i cili nuk bazohet në fakte dhe nuk mund të verifikohet, është praktikisht përhapje e propagandës ruse.

Gjithashtu, në tekstet e tyre, portalet e transmetuan në mënyrë jokritike mesazhin e propagandistit rus Vlladimir Sollovjov se “NATO-ja satanike e filloi luftën kur e sulmoi Rusinë”. Në videon e shpërndarë nga Dejvis, Sollovjov pretendon: “Ne nuk jemi në luftë me Ukrainën, ne jemi në luftë me ushtrinë e Satanait dhe NATO janë absolutisht satanistë, ata thjesht janë absolutisht satanistë”, dhe se NATO paska sulmuar Rusinë.

Mirëpo, NATO nuk e sulmoi Rusinë, është Rusia ajo që kreu agresion ushtarak kundër Ukrainës në vitin 2022, që u dënua me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të 2 marsit 2022, për të cilën votuan 141 vende. Rusia më parë pushtoi dhe aneksoi ilegalisht Krimenë e Ukrainës në vitin 2014, akt që u dënua me disa rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Narrativat dezinformuese ruse për “NATO-n satanike”, “Perëndimin satanik” dhe “de-satanizimin” e Ukrainës janë pjesë e një teknike të propagandës të quajtur demonizim, me të cilën armiku dehumanizohet dhe njolloset si demon, ose si djalli – Satanai. Ndërsa, është detyrë etike e gazetarëve që të mos përhapin një propagandë të tillë, por t’i ekspozojnë narrativat e tilla propagandistike si dezinformata.

Comments are closed.