21 views 3 min 0 Comment

“Poligraf”: Putini dezinformon, Medvedevi e demanton – a është i imagjinuar kërcënimi bërthamor rus?

- 28/02/2024

Mediat duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme kur transmetojnë deklarata të politikanëve rusë në lidhje me kërcënimet bërthamore.

Më 9 shkurt 2024, në tekstin: “Intervista e Karlson me Putinin: Nuk ka kërcënim për luftë globale, Rusia dhe Ukraina do të merren vesh”, Slloboden Peçat e transmetoi në mënyrë jokritike pohimin e Putinit për një “kërcënim të imagjinuar rus”.

Në këtë tekst thuhet: “Karlson e pyeti Putinin nëse NATO ishte brengosur se kjo do të shndërrohej në luftë globale ose konflikt nuklear. Të paktën për këtë flasin dhe përpiqen të trembin popullsinë e tyre me një kërcënim të imagjinuar rus. Ata që janë realistë e dinë se e gjithë kjo është një gënjeshtër. Por ata po përpiqen të provokojnë kërcënimin rus – tha Putin”.

Mirëpo, mu bashkëpunëtori i ngushtë i Putinit, Dmitri Medvedev, është ai që përdor vazhdimisht kërcënime të tilla. Edhe pas deklaratave të Putinit për “kërcënim të imagjinuar rus”, më 18 dhe 19 shkurt 2024, më shumë media raportuan se Medvedev kërcënoi me sulm bërthamor mbi Uashingtonin, Berlinin dhe Londrën: “Ish-presidenti rus Dmitri Medvedev kërcënoi përsëri Perëndimin me luftë të përgjithshme nukleare, nëse pas luftës në Ukrainë, Rusia kthehet në kufijtë e saj nga viti 1991”, raportuan mediat.

Siç vunë në dukje kontrolluesit e fakteve të “EU Vs. Disinfo” vitin e kaluar, taktika dezinformuese e Kremlinit “e shfrytëzon frikën nga armët bërthamore, kimike dhe biologjike”. Duke zbardhur dezinformatën se “Rusia nuk paraqet kërcënim për askënd”, ata cituan deklarata të shumta të zyrtarit të lartë rus Medvedev ku ka kërcënime për përdorim të armëve bërthamore.

Prandaj, kërcënimet e fundit të Medvedevit për luftë globale me përdorim të armëve bërthamore janë edhe një përgënjeshtrim i pohimeve të Putinit se Perëndimi po përpiqet të “frikësojë popullsinë e vet me një kërcënim të imagjinuar rus”.

Edhe pohimet e Putinit për “kërcënim të imagjinuar rus”, si dhe kërcënimet reale të Medvedevit me armë bërthamore, janë pjesë e taktikës së Kremlinit për dezinformim dhe propagandë. Prandaj, është detyrë e mediave që të kontrollojnë pretendimet e tilla dhe të mos i transmetojnë në mënyrë jokritike.

Comments are closed.