2 views 2 min 0 Comment

“Poligraf”: Kush i botoi manipulimet e Llavrovit se Perëndimi dashka të shkatërrojë Rusinë me një blic-krig?

- 23/01/2024

Disa media në vend vazhdojnë të transmetojnë në mënyrë jokritike dezinformata propagandistike nga zyrtarët rusë dhe mediat që përhapin propagandën ruse.

Më 18 janar 2024, disa portale maqedonase transmetuan përmbajtje nga media propagandistike ruse “Sputnik”, me titull: “Llavrov: Perëndimi e kuptoi se një luftë e rrufeshme me qëllim për të mposhtur Rusinë është vetëm një iluzion”.

Teksti i portalit “A1on” pohon se ministri Lavrov ka theksuar se “Perëndimi e ka kuptuar se blic-krigu me qëllim për të mposhtur strategjikisht Rusinë është iluzion”. Këtë deklaratë e ka transmetuar Tanjug-u serb, ndërsa fjala “blic-krig” u gjet edhe në titullin e RT-së në rusisht, e fillimisht edhe në titullin e agjencisë ruse të lajmeve TASS, e cila më pas ka ndryshuar titullin.

Mirëpo, as Llavrovi, as mediat ruse, e as portalet maqedonase që i transmetuan deklaratat në mënyrë jokritike, nuk paraqitën asnjë provë për ndonjë “blic-krig” ushtarak apo “luftë të rrufeshme” nga Perëndimi për t’i “shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë” në mënyrë të shpejtë.

Përkundrazi, ishin propaganduesit rusë ata që edhe para fillimit të invazionit ushtarak rus mbi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, parashikonin se ai do të zgjaste shumë pak, duke përfunduar me një fitore të shpejtë të Rusisë. Për shembull, propagandistja Margarita Simonjan në vitin 2021 pohonte se Rusia do të fitonte për “dy ditë”. Edhe propagandistja Skabeeva në fillim të invazionit parashikonte rënien e Kievit për dy ditë, ndërsa presidenti bjellorus Llukashenko në shkurt të vitit 2022 parashikonte se lufta me Ukrainën do të zgjaste tre ose katër ditë.

Por, lufta në Ukrainë po vazhdon gati dy vjet, e propaganda ruse tani përpiqet t’ia mveshë Perëndimit se ai po zhvillon “luftë të rrufeshme” për “të mposhtur strategjikisht Rusinë”. Prandaj, mediat duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të mos transmetojnë në mënyrë jokritike deklarata dhe shprehje të tilla që përdoren për përhapje të dezinformatave me qëllime ushtarako-propagandistike.

 

Comments are closed.