44 views 6 min 0 Comment

“Poligraf”: Kush e pa Raportin e Komisionit Evropian me syze “rozë”, e kush me syze “të errëta”?

- 14/11/2023

Në lidhje me Raportin e fundit të KE për vendin, në mediat e vendit dolën shumë artikuj, ndër të cilat nuk munguan edhe shkrime që botonin informacione të pasakta dhe të pabaza si dhe manipulime.

Një pjesë e mediave u fokusua vetëm në aspektet pozitive të raportit dhe transmetoi manipulime apo vlerësime që nuk korrespondojnë me vlerësimet e dhëna në raport.

Për shembull, më tepër media raportuan se “Raporti i Komisionit Evropian bën me dije se Maqedonia e Veriut ka progres në 81 për qind të kapitujve, ndërsa në asnjë prej tyre nuk ka prapakthim”.

Mirëpo, në raportin e KE për vendin nuk bëhet me dije një gjë e tillë, e as nuk përmendet ndonjë përqindje specifike e progresit apo “81 për qind”. KE nuk jep nota në përqindje, e aty nuk është as shprehja “asnjë prapakthim”. Siç thuhet në vetë raportin, KE-ja e vlerëson progresin me këto vlerësime: ” prapakthim”, “nuk ka progres”, “progres i kufizuar”, “progres i caktuar”, “progres i mirë” dhe “progres shumë i mirë”.

Njëkohësisht, në këto përmbajtje mediatike nuk raportohet se për disa kapituj është dhënë nota “nuk ka progres”, e raportohet se “në asnjë prej tyre nuk ka prapakthim”.

Prandaj, raportimet e tilla mund të konsiderohen si manipuluese, duke përfshirë ato se raporti tregon përparim në 81 për qind të kapitujve.

Disa e panë raportin e KE-së me syze rozë, e disa me syze të errëta. Për dallim nga ato që u fokusuan në aspektet pozitive, më shumë media raportuan vetëm mbi kritikat publike dhe interpretimet negative të Raportit të KE. Për shembull, disa prej tyre përcollën pohimet e zëdhënëses së VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, se raporti ishte “reflektim i gjendjes së stagnimit e në pjesë të caktuar të prapakthimit në të cilin ndodhet Maqedonia”.

Por, a konstaton KE “prapakthim”, që është nota më e ulët nga të gjitha? Vlerësimi “prapakthim” nuk është dhënë fare në raportin për vendin të vitit 2023, megjithëse një notë e tillë iu dha, për shembull, Bosnjes dhe Hercegovinës si dhe Turqisë. Rrjedhimisht, pretendimet se raporti i KE pasqyron prapakthim nuk mbështeten nga vlerësimet e raportit dhe mund të interpretohen si manipulim.

Së dyti, a është e vërtetë se Maqedonia ka marrë raportin historikisht më të keq nga Komisioni Evropian, siç pretendojnë disa media dhe burime? Edhe kjo deklaratë nuk e kalon kontrollin e fakteve. Gjegjësisht, për disa vite në të kaluarën, vendi vlerësohej me notën “prapakthim” në fusha të ndryshme. Për shembull, raporti i vitit 2014 konstatonte qorrsokak në procesin e qasjes dhe prapakthim të dukshëm në disa fusha. Në vitin 2015, pati vlerësim të “prapakthimit” për shkak të ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe menaxhimit të financave publike. Në vitin 2016, konstatohej se prapakthimi ka vazhduar në disa fusha kritike të sundimit të së drejtës. Prandaj, pretendimet për “raportin më të keq” të KE-së këtë vit i vlerësojmë si të pabaza.

Më tej – portali “Pressingtv” botoi në titull se “Nuk ka asnjë progres është fjalia më e shpeshtë në raportin e KE”. Mirëpo, shprehja “nuk ka progres” përmendet 40 herë në Raportin e vitit 2023,  ndërsa shprehja “progres i caktuar” përmendet 48 herë. Prandaj, nuk është e vërtetë se “Nuk ka progres është fjalia më e shpeshtë”, e as shprehje apo vlerësim më i shpeshtë në raportin e KE-së për vendin.

Disa media, nga ana tjetër, botuan në titull se “nuk ka përparim në asnjë fushë”, ndërsa media tjera konstatuan pajtim të ekspertëve se “Komisioni Evropian nuk sheh përparim në Maqedoni”. Mirëpo, vlerësimi “nuk ka progres” u referohet kapitujve ose fushave të veçanta, siç janë, për shembull, për gjyqësorin ose për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Krahas notës “progres i caktuar”, nota “progres i kufizuar” gjendet 30 herë, ndërsa shprehja “progres i mirë” më shumë se dhjetë herë. Prandaj, pretendimet e përgjithshme se “nuk ka përparim në asnjë fushë” dhe se “Komisioni Evropian nuk sheh përparim në Maqedoni” nuk mbështeten nga vlerësimet në raport.

Thënë shkurt, disa politikanë dhe media u fokusuan vetëm në aspektet pozitive të Raportit. Ndërsa, një pjesë tjetër u fokusua vetëm në anët negative. Njëkohësisht, ata publikisht paraqisnin pohime që nuk përputhen me atë që është shkruar në raport. Publiku dhe qytetarët meritojnë raportim real, dhe marrjen e hapave konkretë për zbatimin e rekomandimeve nga raporti, disa prej të cilave përsëriten me vite. Si nga pushteti dhe institucionet, edhe nga opozita, edhe nga mediat.

 

Comments are closed.