12 views 2 min 0 Comment

“Poligraf”: Kush dezinformoi se sulmuesit në Moskë ishin ukrainas?

- 03/04/2024

Edhe për sulmin e fundit terrorist në Moskë, disa media në vend vazhduan të transmetojnë në mënyrë jokritike pretendime të pabaza dhe dezinformata nga propagandistët rusë.

Më 23 mars 2024, portalet Lokalno dhe Antropol raportuan në titull se sulmuesit në Moskë ishin ukrainas, duke transmetuar pohimet e propagandistes ruse Margarita Simonian. “Sulmuesit nuk janë nga ISIS, ata janë ukrainas”, thuhet në titujt.

Në tekstin e portalit Lokalno citohet pretendimi i paargumentuar i kryeredaktores së RT dhe Sputnik, Simonian: “Nuk bëhet fjalë për ISIS. Ata janë ukrainas”.

Mirëpo, as Simonian, e as shteti rus nuk dhanë fakte për pohimet se sulmuesit në sallën e koncerteve në Moskë ishin ukrainas. Nga faktet e hetimit të shpallura edhe nga agjencia ruse Tass, shihet se asnjë nga të dyshuarit kryesorë për terrorizëm pas sulmit në sallën e koncerteve në Moskë nuk është shtetas i Ukrainës apo ukrainas.

Siç raportuan më tepër media botërore si dhe mediat maqedonase, shumica e të dyshuarve janë shtetas ose me prejardhje nga Taxhikistani, pjesë e një grupi xhihadist nga Shteti Islamik i Korasanit (ISIS-K), i cili mori përgjegjësinë për sulmin.

Më tepër media ruse, mediat botërore si dhe mediat maqedonase raportuan se hetimi për sulmin vazhdon në Taxhikistan, ku jetonin familjet e sulmuesve.

Edhe presidenti i Rusisë, Putin pranoi se “krimi është kryer nga duart e islamistëve radikalë“, e jo nga ukrainas, siç pretendoi pa prova Simonian.

Prandaj, pohimi se sulmuesit në Moskë ishin ukrainas mund të vlerësohet si dezinformatë. Sërish, rikujtojmë se mediat dhe gazetarët duhet të publikojnë vetëm informacione të sakta dhe të vërtetuara, që të mos bëhen mjet për përhapje të propagandës dhe dezinformim të publikut.

 

Comments are closed.