24 views 3 min 0 Comment

“Poligraf”: Kush dezinformoi se Qeveria ka rënë dakord se maqedonasit nuk jetojnë dhe s’kanë jetuar kurrë në Maqedoni?

- 24/04/2024

Një pjesë e mediave vazhdon me publikimin e qëndrimeve që përmbajnë të pavërteta dhe dezinformata për negociatat e anëtarësimit në BE.

Për shembull, më 4 prill 2024, javorja “Makedonsko eho” botoi intervistë me akademikun dhe kryetarin e paradokohshëm të ASHAM, Lupço Kocarev, në të cilën ai konkludon se “Qeveria, për të nisur negociatat e anëtarësimit me BE-në, veçmë ka rënë dakord se maqedonasit nuk jetojnë dhe nuk kanë jetuar kurrë në Maqedoni”. Për këtë pretendim, Kocarev i merr parasysh marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, si dhe kornizën negociuese si “dokument zyrtar të BE-së”.

Mirëpo, në marrëveshjen me Greqinë nuk thuhet askund se “maqedonasit nuk jetojnë dhe nuk kanë jetuar kurrë në Maqedoni”. Përkundrazi, në nenin 7 të Marrëveshjes së Prespës thuhet se termet “Maqedonia” dhe “maqedonas” nuk shënojnë vetëm territorin, por edhe “gjuhën, popullin dhe karakteristikat e tyre, me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e tyre…”.

Edhe në marrëveshjen me Bullgarinë përmenden “popujt e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë”, dhe është nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase.

As në kornizën negociuese me BE-në, ku shprehimisht përmendet gjuha maqedonase, e as në konkluzionet e Këshillit të BE, nuk thuhet askund “se maqedonasit nuk jetojnë dhe nuk kanë jetuar kurrë në Maqedoni”. Në këto konkluzione përmenden ndryshimet kushtetuese për “përfshirje në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve tjerë, siç janë bullgarët”. Por askund nuk përmendet përjashtim i “popullit maqedonas, pjesës së popullit shqiptar, popullit turk, popullit vllah, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerëve”, të cilët mbeten në Preambulën e Kushtetutës.

Përndryshe, në lidhje me marrëveshjet me fqinjët dhe negociatat me BE-në, Kocarev edhe më parë bënte pohime të pavërteta se “populli maqedonas është zhdukur tërësisht nga skena ndërkombëtare”, se “maqedonasit janë në prag të shfarosjes” dhe se “maqedonasit janë zhdukur që sot!”, të cilat u përgënjeshtruan në analiza të mëparshme të Poligrafit.

Prandaj, edhe pohimi i akademikut Kocarev se qeveria “veçmë ka rënë dakord se maqedonasit nuk jetojnë dhe nuk kanë jetuar kurrë në Maqedoni” mund të vlerësohet si dezinformatë, e cila shkakton ndjenjë të pajustifikuar të frikës dhe rrezikimit te maqedonasit etnikë.

 

Comments are closed.