25 views 2 min 0 Comment

“Poligraf”: Kush dezinformoi se kryeministri Xhaferi u prit në Forinë me brohoritjet “Ilirida”, “Kosova”, “Çamëria”?

- 13/02/2024

Shpesh ndodh që mediat të botojnë video të ndryshuara të marra nga rrjetet sociale pa e  kontrolluar besueshmërinë e tyre.

Më 2 shkurt të vitit 2024, në grumbulluesit e lajmeve u shfaqën tituj me pretendime se kryeministri i sapozgjedhur, Talat Xhaferi u prit në Forinë me brohoritjet “Ilirida”, “Kosova”, “Çamëria”. Shumica e mediave kanë shpërndarë edhe një video nga rrjetet sociale X dhe Tik-Tok ku dëgjohen këto thirrje. Një pjesë e videos u transmetua edhe në TV Telma.

Disa portale publikuan edhe tekste me titull: “Xhaferi u prit si kryeministër i Iliridës dhe Çamërisë!”, e më pas e fshinë apo e ndërruan titullin.

Në fakt, videon origjinale të pritjes së Xhaferit në Forinë e ka publikuar TV Globi nga Gostivari dhe në të nuk ka fare brohoritje të tilla. Nga kjo video është marrë një pjesë, mbi të cilën është montuar zëri i brohoritjeve të tifozëve nga një video tjetër.

Megjithatë, vetëm pak media raportuan se kjo video përmbante audio të montuar. Portali “Plusinfo”, i cili fillimisht publikoi lajmin: “ILIRIDA, ÇAMËRIA, KOSOVA! Shihni si u prit Talat Xhaferi në vendlindjen në Forinë”, më pas e tërhoqi tekstin, kërkoi falje dhe botoi: “SHTOHET ZË I RREMË NE VIDEON ME TALAT XHAFERIN NË FORINË – Ajo që dëgjohet është një këngë tifozësh nga stadiumi”.

Portali “Nezavisen” botoi se “me sa duket bëhet fjalë për incizim të rremë të fabrikuar për të shkaktuar një reagim negativ”. Portali “Deneshen”, edhe pse nuk e tërhoqi lajmin e rremë, më pas publikoi lajm të ri me titullin: “Brohoritjet “Ilirida, Çamëria, Kosova” gjatë pritjes së Xhaferit në Forinë janë montuar më pas”.

Edhe ky rast tregon se mediat janë shumë të ndjeshme ndaj dezinformatave propagandistike nga rrjetet sociale, pikërisht për shkak të mungesës së kontrollit të fakteve dhe besueshmërisë së përmbajtjes. Prandaj, si mediat, ashtu edhe publiku duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm me përmbajtje dhe video të tilla, sidomos në këtë periudhë para zgjedhjeve.

 

Comments are closed.