25 views 4 min 0 Comment

“Poligraf”: Kush botoi dezinformata për foshnjë të zhdukur në klinikat e Shkupit?

- 04/12/2023

Rasti i dezinformatës për një foshnjë të zhdukur tregon se si dezinformimi në portale dhe rrjete sociale mund të shqetësojë publikun.

Më 24.11.2023, portali “press24.mk” botoi titullin “Është zhdukur një foshnjë në Klinikën për Gjinekologji dhe Akusheri”. Teksti, i cili i referohet si burim TV Sitellit, thotë: “Një foshnjë është zhdukur në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve. Momentalisht babai i fëmijës është në polici dhe po merret në pyetje për këtë rast, pas së cilës do të zbulohen më shumë informacione, transmeton Sitell”.

Në kronikën “DREJTPËRDREJTË:  Një familje raportoi një foshnjë të zhdukur në Qendrën Klinike, policia po kërkon ku humbet gjurma”, të transmetuar në lajmet e Sitellit të orës 16, ka tekst në kajron “Zhduket foshnja në klinikat e Shkupit?”. Por, raportuesja e Sitellit para Klinikës ndan edhe informacionin nga Ministria e Shëndetësisë se “nuk ka fëmijë që mungon”.

“Por sipas informacioneve që na i thanë edhe nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët janë në kontakt me menaxherët e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, është se janë kontrolluar të gjitha repartet e Klinikës së Sëmundjeve të Fëmijëve dhe nuk ka asnjë fëmijë që mungon”, informoi raportuesja e Sitellit.

Siç shihet, në titullin sensacionalist të Sitellit mungon informacioni nga Ministria e Shëndetësisë i botuar në kronikë, se “nuk ka fëmijë që mungon”.

Disa orë pas botimit në “press24.mk”, edhe Klinika për Gjinekologji dhe Akusheri dërgoi demant në të cilin thuhet: “Gjatë vitit 2023, në klinikë asnjëherë nuk ka ardhur për kontroll pacientja që tani po jep deklaratë të pasaktë lidhur me zhdukjen e foshnjës, e që ju po e transmetoni”. Në përgënjeshtrimin e publikuar në Press24, gjithashtu pohohet se “në opinion po përhapen të pavërteta për të krijuar mosbesim dhe panik tek të gjithë përdoruesit e shërbimeve tona”.

Mirëpo, me gjithë përgënjeshtrimet e klinikave, disa portale vazhduan të botojnë tituj të bujshëm “drama po vazhdon” dhe të raportojnë për “rastin e foshnjës së zhdukur”.

Pas këtyre publikimeve, mediat botuan informacion nga MPB-ja se paraqitja ka qenë e rreme.

Çfarë mund të mësohet nga ky rast? Mediat e kanë për detyrë etike të mos publikojnë informacione të paverifikuara, sidomos jo në mënyrë sensacionaliste, live ose drejtpërdrejt para objekteve shëndetësore. Fatkeqësisht, edhe pas këtyre botimeve që krijuan panik në opinion, një pjesë e mediave nuk i përgënjeshtruan të pavërtetat e botuara për foshnjë të zhdukur, e as nuk u kërkuan falje qytetarëve për shkaktimin e panikut të panevojshëm dhe mosbesimit në institucionet shëndetësore.

 

Comments are closed.