16 views 3 min 0 Comment

“Poligraf”: Dezinformatë është se Ministria e Drejtësisë ende nuk ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Palevskit

- 02/04/2024

Mediat shpesh vijnë në pozitë të përhapin dezinformata me transmetimin jokritik të deklaratave të pavërtetuara të liderëve të partive.

Rast i tillë është intervista e “Fokus”-it me kryetarin e ri të partisë “E Djathta” (Desna), Toni Aleksovski, e botuar më 26 mars 2024. Ai në intervistë bën pohime të pasakta për ekstradimin nga Turqia të të dyshuarit për vrasje, Lupço Palevski-Pallço, ish-lider i partisë “E Djathta”: “Nuk është ekstraduar vetëm sepse Ministria maqedonase e Drejtësisë ende nuk ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Palevskit”, thotë Aleskovski në intervistë.

Ky pretendim theksohet edhe në titullin e portalit Expres.mk më 27 mars 2024: “Për Palevskin nuk është dërguar kërkesë zyrtare për ekstradim”, thonë nga partia “E Djathta”.

Por, çfarë thonë burimet zyrtare? Më 6 dhjetor 2023, Ministria e Drejtësisë kumtoi se “Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ka nënshkruar kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit dhe pasi të përkthehet në turqisht, menjëherë do t’u dërgohet autoriteteve turke, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë”. Të njëjtën ditë, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit kërkoi ekstradimin e një personi të dyshuar nga Republika e Turqisë.

Më 7 dhjetor 2023, Ministria e Drejtësisë kumtoi se “ka dërguar kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit, e cila përmes MPJ do t’u dorëzohet autoriteteve turke përmes rrugëve diplomatike”. Më 29 dhjetor 2023, Ministria njoftoi se ka marrë informacion zyrtar nga Prokuroria turke se Palevski është në paraburgim me qëllim që të sigurohet ekstradimi.

Pas takimit me kolegun turk më 8 shkurt 2024, ministri Lloga njoftoi se ka biseduar për ekstradimin e Palevskit, se procesi gjyqësor për Palevskin ka përfunduar dhe pritet të përfundojnë edhe procedurat administrative.

Nga të gjitha këto informacione zyrtare, si dhe nga analizat e mëparshme të verifikuesve të tjerë të fakteve, mund të konstatohet se pretendimi se “Ministria e Drejtësisë ende nuk ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Palevskit” është i pavërtetë.

Edhe ky rast tregon se mediat duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme dhe të mos përcjellin pretendime të paverifikuara, edhe kur ato bëhen nga liderë të partive politike.

Comments are closed.