37 views 4 min 0 Comment

“Poligraf”: Cilat media transmetuan deklarata të pavërteta të politikanit rus Medvedev për Ukrainën?

- 21/11/2023

Më 12.11.2023, më shumë media botuan pretendime të pavërteta se “Ukraina nuk është shtet”, “Zelenski nuk është president” dhe “gjuha ukrainase nuk është gjuhë”, duke ia atribuar ato ish-liderit të Rusisë, Dmitri Medvedev, dhe duke u thirrur në gazetën e respektuar “Guardian”.

Në grumbulluesit e lajmeve time.mk dhe grid.mk u formuan klasterë artikujsh që përmbanin këto pretendime të pavërteta.

Më shumë media u thirrën në raportimin “Guardianit” britanik, pa i transmetuar edhe vlerësimet e Guardianit për deklaratat e Medvedevit, se ai ka përdorur “retorikën e shpeshtë dhe të pasaktë të Rusisë se Ukraina nuk është shtet dhe prandaj nuk mund të kyçet në NATO” dhe se “ky pretendim i pasaktë se Ukraina nuk është një vend i pavarur, por një pjesë historike e Rusisë, është përsëritur në retorikën e udhëheqjes ruse prej kohësh”.

Në artikujt e mediave që iu referuan “Guardianit” nuk përmendet as deklarata e Anton Gerashçenkos,  këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, të transmetuar nga “Guardian”, se “Në përgjithësi, siç kanë përmendur propagandistët rusë së fundmi, ata nuk kanë më asgjë për të humbur, andaj mund të thonë çfarë të duan”.

Siç mund ta shohim, mediat që iu referuan Guardianit i transmetuan vetëm deklaratat e pasakta të Medvedevit, por jo edhe vlerësimin e Guardianit se bëhet fjalë për “retorikë të pasaktë” dhe “nocione të pasakta”, e as deklaratën e këshilltarit ukrainas Gerashçenko.

E cila është e vërteta? E vërteta është se Ukraina është shtet anëtar i OKB-së që nga viti 1945, ndërsa më 24 gusht 1991, ajo ndryshoi emrin e saj në Kombet e Bashkuara nga Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës në Ukrainë. Në faqen e Kremlinit ka informacion për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për kufirin shtetëror ruso-ukrainas. Kjo marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar nga Putini gjendet edhe në faqen e OKB-së. Zelenski, përkundër pretendimeve të Medvedevit, është presidenti i zgjedhur legjitim i Ukrainës, i cili ka marrë detyrën më 20.05.2019 me një mandat 5-vjeçar. Ndërsa gjuha ukrainase, në kundërshtim me pretendimet e Medvedevit, siç kemi analizuar më parë në Poligraf, “sot flitet nga mbi 40 milionë njerëz, është kodifikuar rreth një shekull më parë, njihet nga Kombet e Bashkuara dhe studiohet në shumë universitete në botë”.

Çfarë mund të konkludohet nga ky rast? Mediat nuk duhet të publikojnë deklarata të politikanëve që nuk kalojnë verifikimin e fakteve. Nëse veçmë vendosin t’i publikojnë, e kanë për detyrë të theksojnë se bëhet fjalë për pretendime të rreme, siç bëri Guardian. Përndryshe, rrezikojnë të keqpërdoren si kanale për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave.

Comments are closed.