17 views 4 min 0 Comment

“Poligraf”: Cilat media botuan informacione të pasakta dhe jo të plota për Raportin e Rreziqeve Globale 2024?

- 23/01/2024

Disa media publikuan informacione të pasakta dhe jo të plota në lidhje me “Raportin e Rreziqeve Globale 2024” të Forumin Ekonomik Botëror, i cili shkaktoi vëmendje të veçantë gjatë takimit në Davos.

Më 15 janar 2024, portali “Llokalno” publikoi tekstin me titull: “KU PO SHKON BOTA? Ja çfarë i frikëson më së shumti liderët botërorë”, në të cilin thuhet: “Dezinformatat dhe lajmet e rreme janë rreziku i dytë më i madh që mund të minojë besimin dhe të thellojë ndarjet politike”.

Një ditë më pas, edhe “Nova Makedonija” në tekstin “Si duket peizazhi global i rreziqeve kryesore për botën në vitin 2024?” njoftoi se, sipas raportit, “Dezinformatat janë rreziku i dytë më i madh…”.

Në infografikun e “Nova Makedonija” me titull “Top rreziqet globale në vitin 2024”, në vendin e dytë janë “Dezinformatat IA”, që do të thotë dezinformata nga Inteligjenca Artificiale, shprehje që nuk mbulon të gjitha llojet e dezinformatave.

Mirëpo, çfarë thotë në të vërtetë Raporti i Rreziqeve Globale 2024? Në raport, “informatat e gabueshme dhe dezinformatat e gjeneruara nga IA” janë në vendin e dytë, kur nga të anketuarit është kërkuar të zgjedhin deri në 5 rreziqe, për të cilat besojnë se kanë më shumë gjasa të përfaqësojnë një krizë materiale në nivel global në vitin 2024.

Por, “informatat e gabueshme dhe dezinformatat” janë në vend të parë në raport, edhe atë si “rrezik më serioz global i parashikuar në dy vitet e ardhshme”.

Siç përmblidhet në titullin e tekstit për këtë raport në uebfaqen e Forumit Ekonomik Botëror, “Dezinformatat janë në krye të rreziqeve globale në vitin 2024, ndërsa intensifikohen kërcënimet e mjedisit jetësor”. Në tekst thuhet se “Informatat e gabueshme dhe dezinformatat janë rreziqet më të mëdha afatshkurta, ndërsa moti ekstrem dhe ndryshimet kritike në sistemet e Tokës janë shqetësimet më të mëdha afatgjatë…”.

Edhe në fjalimin në Davos të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, të cilin e transmetuan edhe mediat në vend, ajo që në fillim theksoi: “Raporti juaj vjetor mbi rreziqet globale është një tekst mahnitës dhe kthjellues për t’u lexuar. Për komunitetin global të biznesit, shqetësimi kryesor për dy vitet e ardhshme nuk janë konfliktet apo klima. Janë dezinformatat dhe informatat e gabueshme, të ndjekura nga polarizimi në shoqëritë tona”.

Raporti gjithashtu paralajmëron se “informatat e gabueshme dhe dezinformatat mund të prishin rrënjësisht proceset zgjedhore në disa ekonomi në dy vitet e ardhshme”.

Ndonëse ky Raport bën me dije se informatat e gabueshme dhe dezinformatat janë rreziqet më të mëdha afatshkurta globale në dy vitet e ardhshme, një pjesë e mediave raportuan në mënyrë jo të plotë dhe të pasaktë për të, ndërsa kjo çështje nuk e mori vëmendjen e merituar në opinionin tonë. Qytetarët dhe shoqëria në tërësi meritojnë që mediat t’i qasen problemit të dezinformimit me shumë më tepër seriozitet dhe profesionalizëm.

Comments are closed.