24 views 4 min 0 Comment

“Poligraf”: Cilat media botоnin dezinformata se e zhdukura Vanja është gjetur gjallë në një shtet fqinj?

- 06/12/2023

Javën që shkoi në fokus të opinionit ishin lajmet dhe publikimet për 14-vjeçaren e zhdukur në Shkup, ndër të cilat kishte edhe dezinformata.

Më 29.11.2023, disa portale publikuan tituj se e mitura e zhdukur është “gjetur në një shtet fqinj”.

“Kurir” botoi titull me emrin e vajzës dhe se ajo është “gjetur në një shtet fqinj” duke pohuar: “Jozyrtarisht mësojmë se …ajo është gjetur në një shtet fqinj”.

Më pas, portali Kurir botoi një titull tjetër: “Jozyrtarisht KURIR mëson: …është gjetur në një shtet fqinj – përgënjeshtron MPB-ja (I PËRDITËSUAR)”. Së fundi, KURIR ka ndryshuar edhe një herë titullin: “LAJM I PËRDITËSUAR: Nuk është e vërtetë që është gjetur…- demant nga MPB-ja”, me këtë shpjegim: “Pasi KURIR-i, duke u thirrur në burime të veta nga hetimi, njoftoi se 14-vjeçarja … u gjet gjallë dhe shëndoshë në një shtet fqinj, MPB u prononcua me demant. Fatkeqësisht, për momentin informacioni tregohet i pasaktë, e MPB vazhdon me kërkimin aktiv për gjetjen e vajzës”.

Në demantin e MPB-së ndaj “dezinformatave të botuara në portalin “Kurir””, thuhet se bëhet fjalë për “lajm tërësisht të rremë”, pavarësisht apeleve të shumta, si nga policia, ashtu edhe nga prindërit e të miturës që “të mos botohen dezinformata me të cilat vetëm mund të dëmtohet hetimi”.

MPB kërkoi që përgënjeshtrimi të botohet menjëherë, ndërsa teksti i pavërtetë të tërhiqet kudo që është publikuar. Mirëpo, më 30.11.2023, nuk u tërhoqën të gjitha tekstet e portaleve me lajmin e rreme, e gjurmët e lajmeve të rreme mbetën edhe në titujt e agregatorëve të lajmeve.

Më 29.11.2023, për këtë rast raportuan edhe verifikuesit e fakteve nga “Vërtetmatësi” në shkrimin: “Nuk është e vërtetë se Vanja Gjorçevska është gjetur në një shtet fqinj”, duke bërë me dije se “Me publikimin e këtij lloji të dezinformatave bëhet dëm, si ndaj familjes së vajzës, ashtu dhe ndaj mbarë hetimit dhe ndaj besimit tek institucionet”.

Pas lajmit të rreme, u prononcuan edhe SHGM dhe KEMM, të cilat dënuan ashpër mënyrën e raportimit të disa mediave për rastin, i cili shkel rëndë Kodin e Gazetarëve, duke publikuar informacione të pasakta dhe të paverifikuara, kryesisht të marra nga rrjetet sociale. Këto organizata bënë me dije se “rrjetet sociale nuk mund të jenë një burim i besueshëm informacioni nga i cili gazetarët do të marrin përmbajtje pa i kontrolluar dhe prej tyre të shkruajnë lajme apo tituj”, si dhe se “mediat kanë për detyrim të kontrollojnë informacionin para se ta publikojnë atë”.

Këto rekomandime i dëgjojmë me vite, por fatkeqësisht një pjesë e mediave nuk i respekton. Prandaj, publiku duhet të ketë kujdes në raste të tilla delikate dhe të mbështetet në mediat që publikojnë informacione që janë të kontrolluara mirë dhe që përmbajnë burime të besueshme.

Comments are closed.