24 views 4 min 0 Comment

“Poligraf”: Çfarë dezinformata përhapën portalet pas mbledhjes së Këshillit Evropian?

- 26/12/2023

Edhe takimi i fundit i Këshillit Evropian në dhjetor, ashtu si takimet e mëparshme, ishte cak i më shumë dezinformatave mediatike.

Më 15.12.2023, portali “Republika” publikoi titullin: “Kush është Moldavia që i nisi negociatat më shpejt se Maqedonia: Nuk kanë gjuhën e tyre, nuk kontrollojnë gjysmën e territorit”. Po të njëjtën ditë, portali “Pressing TV” botoi titullin: “Moldavia nuk kontrollon gjysmën e territorit të saj, por i nisi negociatat para Maqedonisë”.

Mirëpo, këto pohime janë të pasakta. Së pari, Moldavia zë një territor prej 33,843.5 km2, ndërsa “Republika Pranëdnistriane e Moldavisë” e vetëshpallur, ose Transnistria, nuk zë gjysmën e territorit të Moldavisë, por shumë më pak. Sipas Enciklopedisë Britannica, ajo mbulon 3,500 km2, e sipas Wikipedia-sTransnistria mbulon 4,163 km2 të territorit të përgjithshëm të Moldavisë prej 33,843.5 km2. Prandaj, pretendimi se “Moldavia nuk kontrollon gjysmën e territorit të saj” është i pavërtetë.

Së dyti, a i nisi Moldavia negociatat “më shpejt se Maqedonia”? Në uebaqjen e BE-së shihet se Këshilli Evropian vendosi të fillojë negociatat e anëtarësimit me Moldavinë në dhjetor të vitit 2023, ndërsa me Maqedoninë e Veriut më 25.03.2020.

Moldavia e ka vetëm vendimin nga Këshilli Evropian për fillim të negociatave të anëtarësimit, ndërsa vendi ynë mbajti gjithashtu “Konferencën e parë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut”, me të cilën “Më 19 korrik 2022, BE-ja filloi fazën hyrëse të negociatave për anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut”.

Negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë nuk kanë filluar zyrtarisht. Para kësaj, BE duhet të miratojë kornizat e negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë dhe të specifikojë një datë për hapjen zyrtare të negociatave për antarësim. Prandaj, pretendimi se “Moldavia i filloi negociatat më shpejt se Maqedonia” mund të konsiderohet i pavërtetë.

Edhe pohimi në një lajm tjetër të portalit Republika, “se Maqedonia nuk i ka nisur negociatat me BE-në është konfirmuar edhe në Samitin e BE-së ku as që kemi qenë në rend dite” – është i pasaktë. Në konkluzionet e Këshillit Evropian të 14 dhe 15 dhjetorit ka një pikë të veçantë, pika 18, në të cilën janë përmendur ndryshimet kushtetuese si kusht për përfundimin e fazës hyrëse të negociatave për anëtarësim.

Përveç kësaj, më 8.12.2023, Komisioni Evropian njoftoi se takimet për procesin e skriningut janë kompletuar, që paraqet hapin e parë në procesin e negociatave për anëtarësim. Ukraina dhe Moldavia nuk kanë filluar fare një proces skriningu.

Mu për këtë, pretendimet se Ukraina dhe Moldavia kanë filluar negociatat para Maqedonisë së Veriut përfaqësojnë dezinformatë, e cila mund të konsiderohet se ka tendencë për të minuar besimin në BE dhe për të mohuar negociatat të cilat veçmë kanë filluar.

 

Comments are closed.