32 views 2 min 0 Comment

“Poligraf”: Çfarë dezinformata për Revolucionin Laraman u botuan në emisionin “Zëri i popullit”?

- 24/12/2023

Në emisionin “Zëri i Popullit”, të transmetuar në “Televizionin Vistinska” më 06.12.2023, i ftuari Vllado Jovanovski, përndryshe pjesëtar i shërbimeve të zbulimit në pension, e lidh “Revolucionin Laraman” me rastin e “Lagjes së trimave”.

“Te ne, është shumë dobët i përpunuar rasti i “Lagjes së trimave”, edhe pse ka ndodhur mu në atë periudhë, në kulmin e Revolucionit Laraman…”, tha Jovanovski.

Mirëpo, çfarë tregon kontrolli bazik i fakteve? Shkëmbimi i armatosur në Kumanovë në “Lagjen e trimave” ka ndodhur më 9 dhe 10 maj 2015. Ndërsa, “Revolucioni laraman” është shprehje për protestat që u zhvilluan një vit më vonë, pas vendimit të presidentit Ivanov të datës 12.04.2016 për të ashtuquajturin  abolicion, gjegjësisht falje dhe lirim nga përndjekja e 56 personave që ishin pjesë e rasteve të Prokurorisë Speciale Publike.

Përveç kësaj, drejtuesi i emisionit Sllobodan Tomiq pohon se Revolucioni Laraman ka pasur synime të qarta për ndryshimin e emrit të shtetit dhe miratimin e “Marrëveshjes së Prespës”:

“Duke pasur faktin se ky Revolucion Laraman kishte një synim të qartë për të ndryshuar atë që nuk ka ndryshuar prej vitesh, ky është emri i shtetit, të miratojë përsëri një dokument të liqenit, të njohur si “Marrëveshja e Prespës”…”, tha Tomiq në emision.

Mirëpo, kërkesat e protestave të vitit 2016 nuk kishin të bënin aspak me ndryshimin e emrit të shtetit dhe arritjen e marrëveshjes me Greqinë, por me sigurimin e drejtësisë dhe nxjerrjen para gjykatës të personave përgjegjës për përgjimet masive, si dhe demokratizimin e institucioneve të kapura, siç dëshmohet nga kërkesat e protestave të shpallura publikisht në media.

Prandaj, pretendimet se rasti i “Lagjes së trimave” ndodhi në kulmin e Revolucionit Laraman, si dhe pohimet se Revolucioni Laraman kishte për qëllim ndryshimin e emrit të shtetit, mund të vlerësohen si gënjeshtra dhe dezinformata.

 

Comments are closed.