30 views 3 min 0 Comment

Llahtov në “Poligraf”: Nevojitet fokus më i madh në edukimin mediatik

- 14/12/2023

Me Mihajlo Llahtov, ekspert mediatik me përvojë shumëvjeçare në programet e edukimit mediatik, “Poligrafi” bisedoi për rëndësinë e edukimit mediatik në njohjen e dezinformatave.

Poligraf: Si munden qytetarët, secili prej nesh, të zbulojë vallë ndonjë informacion është dezinformatë apo nëse bëhet fjalë për lajme të rreme (fake news)?

Llahtov: Faleminderit për këtë pyetje, më bëhet shumë shpesh dhe është shumë shpesh në qendër të interesit tonë, sidomos në 10 vitet e fundit, flasim për dezinformata, lajme të rreme etj. Mendoj se nuk është fokusi i duhur, dhe se fokusi duhet të vendoset më shumë tek edukimi (shkrim-leximi) mediatik, gjegjësisht se si qytetarët arrijnë të deshifrojnë, pra të kuptojnë mesazhet mediatike që u vijnë përmes llojeve të ndryshme të mediave – në ditët e sotme shumë më tepër prej platformave të reja digjitale dhe rrjeteve sociale, ku gjejmë gjithçka.

Problemi kryesor nuk është aq shumë te dezinformatat, sa është te bombardimi, apo vërshimi i miliona, miliona informacioneve të ndryshme që marrim çdo ditë, dhe në atë se vallë mund t’ia dalim, dhe vallë dimë, vallë kemi aftësitë për të krijuar një filtër për ato informacione, të cilat për ne janë të nevojshme, relevante, që na nevojiten në jetën tonë të përditshme, e disi t’i izolojmë ato që nuk na sjellin asgjë tjetër përveç se, le të themi, argëtimit të thjeshtë. Pra, me një term anglez “infodemi”, po flasim për një sasi tejet të madhe të informatave dhe mesazheve mediatike që arrijnë tek ne, dhe, edhe një tjetër term në anglisht – “infotainment”; gjithçka rreth nesh tashmë është bërë thjesht entertainment – argëtim dhe ka shumë informacione, që as nuk dimë t’i filtrojmë siç duhet, e as nuk dimë t’i deshifrojmë siç duhet.

Dhe, për këtë arsye, vetëm ata që do të kalojnë nëpër procese të ndryshme të të mësuarit, leximit, avancimit të vazhdueshëm, dhe do të mësojnë se si t’i dekodojnë ato mesazhe, pra të kuptojnë se cili është mesazhi i vërtetë, çfarë dëshiron të na përcillet përmes një mesazhi të tillë, kush është ai që dëshiron të na përcjellë këtë, çfarë përmban ai mesazh e çfarë shmanget në mesazh, çfarë vlerash na përcjell –  vetëm ata individë do të jenë në gjendje të përdorin me të vërtetë median për atë që u nevojitet në jetë. Kjo është, le të themi, tipari kryesor i edukimit mediatik, rëndësia e edukimit mediatik. E më tej, si një segment i vogël, mund të flasim edhe për çrregullimin informues, pra dezinformimin siç thoni ju, që është i pranishëm sot.

Comments are closed.