18 views 4 min 0 Comment

Krstinovska në “Poligraf”: Cilat janë dallimet mes ndikimit rus dhe kinez në vend?

- 14/03/2024

Në intervistë me Ana Krstinovskën nga organizata Estima, “Poligraf” bisedoi për propagandën dhe dezinformatat e huaja në vend, si dhe për dallimet ndërmjet ndikimit rus dhe kinez.

Poligraf: Shumë hulumtime dhe organizata bëjnë me dije se në vendin tonë kemi ndikime të huaja malinje dhe dezinformata. Cilat janë vendet kryesore nga të cilat vijnë ndikimet dhe dezinformatat dhe cili është efekti i tyre?

Krstinovska: Duke marrë parasysh se jemi në njëfarë udhëkryqi mes Lindjes dhe Perëndimit, se nga njëra anë jemi vend anëtar i NATO-s por jo anëtar i BE-së, në njëfarë mënyre ne jemi subjekt i ndikimeve edhe nga Lindja, edhe nga Perëndimi.

Tradicionalisht, prania ruse ka ekzistuar në vendin tonë prej shekujsh. Megjithatë, kohët e fundit ndjehet gjithnjë e më shumë ndikimi i Kinës, vendeve të Gjirit dhe disa lojtarëve të tjerë, të cilët tashmë po shfaqin ambicie globale ose të paktën ambicie rajonale për të qenë të pranishëm edhe në rajonin tonë.

Pra, ndikimet janë me natyre të ndryshme. Kemi ndikime ekonomike, kemi tentativa për të ndikuar në proceset politike në vend dhe, natyrisht, siç e përmendët, kemi dezinformata dhe, në një farë mënyre, tentativa për të manipuluar hapësirën informative. Në këtë drejtim, çdo vend ka interesat e veta, prioritetet e veta dhe i manifeston këto ndikime në mënyra të ndryshme. Pra, mendoj se kur flasim duhet të kemi një qasje disi të diferencuar, vallë flasim për Rusinë, Kinën apo ndonjë vend tjetër.

Poligraf: Organizata juaj fokusohet më konkretisht në ndikimin e Kinës në vendin tonë. Si manifestohet ky ndikim tek ne?

Krstinovska: Po, ne jemi të specializuar konkretisht për Kinën, kështu që në katër vitet e fundit kemi punuar intensivisht në kërkime në lidhje me Kinën. Për dallim nga Rusia, e cila ka prani tradicionale dhe rrjete të vendosura të veprimit, Kina është lojtar relativisht i ri në rajon dhe konkretisht te ne. Mirëpo, ndryshe nga Rusia, ajo gjithashtu ka pozicion fillestar shumë më të fortë, pasi është vend më i madh, me ekonomi shumë më të fuqishme dhe me synim për të arritur një prani globale gjithkund në botë.

Dhe, në këtë kuptim, i kemi ndikimet tradicionale ekonomike – përmes tregtisë, përmes investimeve që janë më pak të pranishme tek ne për dallim nga disa vende të rajonit, siç është Serbia. Por, prezencë kemi edhe përmes financimit kinez, përmes kredisë për autostradat Shtip – Milladinovc dhe Kërçovë – Ohër.

Dhe e gjithë kjo plotësohet nga prania kineze në sferën mediatike, ajo që quhet “fuqi e butë”, prania kineze përmes universiteteve, komunitetit akademik, sektorit civil. Dhe, në një farë mënyre, këto ndikime veprojnë në mënyrë sinergjike – që do të thotë se ajo që bën Kina në hapësirën oflajn plotësohet nga ajo që bën në hapësirën e medias ose informacionit. Dhe, kryesisht, të gjitha këto aktivitete kanë për qëllim përhapjen e një perceptimi pozitiv për Kinën.

Nëse e krahasojmë me Rusinë, Rusia ka më shumë taktika disruptive, që do të thotë se përpiqet të veprojë përmes dezinformatave, përmes lajmeve të rreme. Ky nuk është rasti me Kinën. Kina kryesisht punon përmes propagandës, pra përmes manipulimit të informacionit që hyn dhe del nga Kina.

Intervistoi: Era Gjakova

Comments are closed.